"Por, deri edhe nga thellësitë e humnerës së terrorit ku po endemi sot gjysmë të verbër, me shpirt të trazuar e të këputur, ngre sytë e vështroj pareshtur ato yjësi të lashta që më patën ndriçuar rrugën e fëmijërisë, dhe ngushëllohem me besimin që kam trashëguar nga të parët e mi se një ditë ky kthim prapa do të ngjajë vetëm si një interval në ritmin e përjetshëm të ecjes së pandalshme përpara.”
Në këto ditë, kur të gjithë jemi të vendosur në kohë me një intesitet të pazakonshëm, më duket sikur me në fund mundem të rikrijoj dhe rizgjoj intimitetin e leximit të një libri, duke lexuar pa ngutje, autorët e mi të preferuar. Janë pikërisht ata që gjithmonë kanë arritur të mund të hapin dritare të reja perceptimi, që të mund të shoh horizonte pak më të largëta historike.
Sot dua të ndaj me ju, fraza, paragrafe apo faqe nga leximi i Stefan Cvajg. “Bota e djeshme” janë Vjena dhe Evropa, ku Stefan Cvajgu u rrit dhe pati sukseset e para si shkrimtar, ku lexoi me pasion, shkroi dhe udhëtoi, lidhi miqësi me Frojdin, me Rilken e me Valerinë... Një botë e stabilizuar, ku, me gjithë tensionet nacionaliste, liria e mendimit gëzonte tërë të drejtat. Kjo e kaluar shihet me mall, sepse shkrimtari i mërguar që shkruan “Kujtimet e një evropiani”, ka parë rrënimin e tmerrshëm të 1914-s, shembjen e froneve, përmbysjen e ideve, pastaj shpartallimin e mbarë një qytetërimi nën dyndjen e pandalshme të nazizmit. Kjo tablo e një gjysmë shekulli historie të Evropës, plot me anekdota, me ngjyra e me fakte interesante, por edhe plot me ngjarje dramatike, përmbledh kuptimin e një jete, të angazhimit të shkrimtarit, të një ideali. Ajo ështe gjithashtu një libër-dëshmi nga më tronditësit, më të thellët, më instruktivët e më aktualët, i cili na ndihmon të kuptojmë shekullin që shkoi.
"... Përmes jetës sime janë turrur tërë kuajt e murrëtyer të apokalipsit: revolucion dhe zi buke, zhvlerësim paraje dhe terror, epidemi dhe emigracion; kam parë të rriten e të përhapen mu para syve të mi ideologjitë e mëdha masive, fashizmin në Itali, nacionalsocializmin në Gjermani, bolshevizmin në Rusi dhe, mbi të gjitha, atë kolerën e kolerave, nacionalizmin, që ka helmuar lulen e kulturës sonë evropiane... "
"...Ato mi përmbysën tri herë me jetë e me shtëpi e katandi, më shkputën nga tërë e tashmja e nga tërë e shkuara dhe, me furinë e tyre dramtike, më vërtitën në mes të hiçit, në atë "s'di ku të shkoj', që tashmë e njoh fort mirë. Por s'u ankova për këtë: pikërisht njeriu i paatdhe, në një kuptim të ri e ndjen veten të lirë, dhe vetëm ai që s'ka më lidhje me asgjë, s'ka përse të merakoset."
"Secili syresh bënte një jetë drejtvizore, një jetë që ishte njësoj qysh nga fillimi e gjer në fund, pa të përpjeta, pa të tatëpjeta, pa tronditje e pa rreziqe, një jetë që njihte vetëm tendosje të lehta, vetëm ndryshime të pandjeshme; me një ritëm të njëjtë, të qetë e të rehatshëm, dallga e kohës i mbartte që nga djepi gjer në varr. Ata rronin në të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, madje thuajse përherë në të njëjtën shtëpi; çdo gjë që ndodhte në botën jashtë s'ishte gjë tjetër për ta veçse pjellë e gazetave dhe nuk vinte t'u trokiste askush në derë. Sigurisht që edhe në kohën e tyre bëhej diku ndonjë luftë, por qe gjithmonë ndonjë luftë e vockël në krahasim me përmasat e luftave të sotme, zhvillohej larg kufirit, s'dëgjoheshin topat, ndërsa në krye të gjashtë muajve shuhej, harrohej, mbetej paskëtaj vetëm si një fletë historie, e ngjashme me një gjethe të tharë, dhe niste sërish jeta e mëparshme, ashtu e pandryshuar."
"Çdo gjë e skajshme, çdo veprim i dhunshëm, dukej si diçka thuajse e pamundur në një epokë ku sundonte arsyeja."
"Vetëm ai që mund të shikonte pa frikë drejt së ardhmes, e gëzonte me gjithë shpirt të tashmen."
"...por, tekefundit, ç'do të thotë vallë kulturë, a s'do të thotë që nga materia bruto e jetës të thithësh, përmes ngadhnjimeve mikluese të artit të e të dashurisë, atë gjënë më të këndshme e të lezetshme që ajo mban fshehur brenda saj?"
"Kjo ndodhte sepse teatri perandorak, Burgteatri, që për vjenezin, për austriakun, më shumë se thjesht një skenë ku aktorët luanin pjesë teatrale; ai qe mikrokozmosi që reflektonte makrokozmosin, pasqyra ku shoqëria sodiste shëmbëlltyrën e saj të larmishme, i vetmi cortigano* i mirëfilltë me shije të hollë."
Këto fraza të shkëputuara janë thjesht një dëshmi dhe një pjesë e vogël e asaj thellësie që paraqet kjo vepër. Dhe si për çdo vepër të mirë që lexoj, do thoja pa frikë, që pasi dikush lexon diçka të tillë, futet në një proçes të pakthyeshëm i të mos qenit më i njëjti.
Lexim të mbarë!
PERSHENDETJE,
TE LUMTE VERTETE!👌🖐
Leave a comment